Site icon Telegrafi

Haradinaj i përgjigjet Mustafës: Kryeministri po sajon e falsifikon argumente të paqena!

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, pas letrës së hapur drejtuar kryeministri Mustafa dhe presidentit Thaçi lidhur me Demarkacionin, ka vazhduar të polemizojë me Mustafën.

Pas përgjigjes së kryeministrit Mustafa, i cil ishte thënë se Haradinaj po e merr ligjin në duart e veta, deputeti i AAK-së ka reaguar duke thënë se nuk ka bërë ultimatum e as nuk e ka kërcënuar kryeministrin, raporton Telegrafi.

Kjo është kundërpërgjigja e Haradinajt:

Unë e kuptoj pozitën e rëndë të Isa Mustafës dhe përpjekjen e tij dëshpërues për sajuar lloj lloj argumentesh për ta justifkuar marrëveshjen më të dëmshme në historinë e Kosovës, prapa të cilës qëndron ai vet, por nuk e kuptoj pse ai një letër publike që i drejtohet atij, e ku i kërkohet që të mos e bëjë këtë gabim, e cilëson ultimatum e kërcënim, kur aty nuk kishte as ultimatum e as kërcënim.

Kryeministri duhet ta arsyetojë dhe ta argumentojë pse Kosova u dashka të humbë territor, me fakte e me argumente, e jo të sajoj e të falcifikoj argumente të pa qena!

Jo për Isa Mustafën, sepse ai e di të vërtetën, por për hirë të opinionit publik, as unë e as AAK-ja, nuk e kanë votuar ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemura, Park Nacional, as në kifijt e Isa Mustafës e as në kurrfarë kufijsh. Bile unë këtë e kam quajtur, interes kriminal të grupeve të caktuara dhe kam arritur që t’i bindë edhe disa deputetë të LDK-së që të votojnë kundër.

Ky është transkripti i votimit për atë ligj, dhe është mirë që Mustafa ta lexojë dhe jo ta marrë edhe ligjin edhe të drejtën në dorën e tij, për të sajuar e për të ofenduar, e këtë t’ma përshkruaj mua. Kur faktet shtrembërohen z Kryeministër, kësaj i thonë mashtrim!

Transkripti:

Gjithnjë në logjikën e falcifikimit të argumenteve, Mustafa përmend se si Komuna e Pejës e paska votu planin hapësionor në kufijt imagjinar. Por nëse ai don ta përmend argumentin e pa kundërshtueshëm, e që është votimi i Asamblesë së Pejës kundër Demarkacionit.
Jo për z Mustafa, se ai e din të vërtetën, por për opinionin publik, po e sjell edhe këtë vendim të Pejës kundër Demarkacionit.

Dokumenti:

Isa Mustafa, paska kërkuar që Kosova të dëshmojë se e paska menaxhuar territorin kontestues! Unë e pyes atë nëse ai ka dëshmi se Mali i zi, e ka menaxhuar ndonjëherë tokën mbi Kuçishtë!
Kryeministri po thirret në libra kadastralë, dhe kjo është e pandershme, sepse ai e di se as Kosova e as Mali i zi, nuk kanë pasur libra kadastralë për pjesën kontestuese!

Krejtësisht në fund, kryeministri duhet të jetë gati tu përgjigjet pyetjeve të qytetarëve e të deputetëve, e jo ta marrë rolin e policit e të gjyqtarit e ai të bëjë pyetje!

Ai e ka për obligim të sqarojë se çka po ndodhë me kufirin, e jo të sajoj argumente në vend të përgjigjes.
Kryeministri duhet të sqarojë se pse u injorua gatishmëria e Malit të zi, një shteti fqinjë që ka pasur qasje të kujdesshme ndaj Kosovës dhe ka dëshmuar se është një vend mik, per korrigjimin e kufirit, dhe u provua që të na fusin në hasmëri edhe me Malin e zi, kur krejt telashet me kufirin i shkaktoj vetë qeveria e Kosovës dhe Komisioni qeveritar për kufirin!

Unë jam deputet dhe do ta mbaj betimin se do ta mbroj tërësinë tokësore të vendit tim. Edhe ai e ka dhënë një betim dhe është i obliguar ta mbajë, ose le ta marrë rolin gjyshit në shtëpi dhe ta lërë popullin rahat në hallet e veta.

Për mua kjo polemikë publike është e mbyllur!
Daut Haradinaj

Exit mobile version