Site icon Telegrafi

Haradinaj i përgjigjet Kurtit për demarkacionin: Dy nga tri dokumentet e miratuara, e përcaktojnë kufirin në Çakorr dhe Zhleb

Është rikthyer debati për temën e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sot gjatë një ngjarje kryeministri Kurti është pyetur se si do të veprojë me demarkacionin me Malin e Zi për faktin se atë kohë si pjesë e opozitës lideri i LVV-së e kishte kundërshtuar ashpër.

Kurti ka thënë se me qeverinë e re në Mal të Zi ka shpresë se çështja e korrigjimit të vijës kufitare do të lëvizë.

Por ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe qeverinë e asaj kohe që ka miratuar marrëveshjen.

Lexo po ashtu ​Kurti: Qeveria paraprake në Mali të Zi ishte pro-ruse, presim qeverinë e re për ta diskutuar demarkacionin

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja me Qeverinë e re, për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht, shumë të dëmshëm ia dha Malit të Zi, 8200 hektar të territorit të Kosovës”, deklaroi sot Kurti.

Nuk ka shkuar gjatë dhe ka ardhur reagimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një adresim drejtuar qytetarëve, Haradinaj ka thënë se dy nga tri dokumentet kufirin e Kosovës e përcaktojnë në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit.

“E vërteta është vetëm një. Dy nga tri dokumentet e miratuara, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktojnë kufirin në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit”, ka shkruar Haradinaj i cili ka bashkangjitur edhe dokumentet që janë pjesë përbërëse e marrëveshjes.

Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.

Pasditen e 21 marsit të vitit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh.

Çështja e Demarkacionit ishte njëra ndër dy kushtet kryesore për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian./Telegrafi/

Exit mobile version