Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rasteve të fundit të vrasjeve dhe plaçiktjeve në vend.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka përgëzuar organet e rendit për zbardhjen e këtyre rasteve kriminale.
“Sukseset e organeve të rendit në zbardhjen e rasteve kriminale, sikurse rasti i grabitjes së argjendarisë në Suharekë, vrasja e vjehrrit nga dhëndri i tij e së fundi rasti i vrasjes së Liridona Murselit, e nderojnë Kosovën dhe rrisin kredibilitetin tek institucionet tona të sigurisë”, ka shkruar ai.
Haradinaj më tej është shprehur falënderues ndaj Policisë së Kosovës, hetuesve dhe Prokurorisë “për zbardhjen e shpejtë të këtyre akteve kriminale”.
“Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre. Lutemi shumë që të tilla raste mos të ndodhin më asnjëherë!”, ka përfunduar kreu i AAK-së. /Telegrafi/