Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka komentuar takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.
I pari i AAK-së përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se kryeministri Kurti dëshpërimisht po kërkon shpëtimin përmes shpërndarjes së parlamentit.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë medyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka treguar kushtet në të cilat AAK do të mbështeste shpërndarjen e parlamentit.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar tutje Haradinaj./Telegrafi/