Kryeministri Ramush Haradinaj për situatën në veri të vendit, tha se është e rëndësishme që po kthehet normaliteti dhe nuk ka ndonjë destabilizim të situatës.
Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit, me Komunën e Prishtinës.
Kryeministri tha se iu është mirënjohës vendeve të Quintit, NATO-n si dhe falenderoi drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe kreun e AKI-së, Shpend Maxhuni, për menaxhimin e situatës në veri të vendit, transmeton Telegrafi.
“Sa i përket veriut, besoj që nuk ka fituar askush. Me rëndësi që po kthehet normaliteti dhe që nuk po ndodh destabilizimi. Në kohën kur po përballem me disa sfida atje, e vetmja që po dëgjoj nga opozita janë disa problem të vogla të tyre. U jam mirënjohëse vendeve të Quintit, Nato-s, policisë tonë, Shpend Maxhunit, Rashit Qalaj etj…..edhe bizneset tona që kanë bërë kujdes”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq, sa i përket nominimit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell Fontelles për ta zëvendësuar Shefen e Diplomacisë Evropiane, Federica Mogherini në Këshillin Evropian, Haradinaj tha se është herët për të folur për këtë temë.
Sipas tij, askush nuk ka nevojë të bëj panik.
“Sa i përket dialogut dhe zgjedhjes së diplomatit spanjoll është herët të flasim. Nuk ka nevojë të bëj panik dikush. Ka raste kur diplomatët vijnë nga vendet jo njohëse por kanë bindjet e tyre dhe anasjelltas”, ka thënë shkurt Haradinaj.
Ndërsa, Ahmeti tha se Borrello përveç që ka qenë kundërshtar ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtare.
“Duhet edhe Bashkimi Evropian (BE) ta mendoj se a mundet që ta vazhdoj formatin e njëjtë që ta ndërmjetësoj dikush që ka ato mendime. E kuptojmë që procesi është i bllokuar dhe po negociohet goxha shumë. Nuk është panik, por megjithatë duhet t’i shprehim shqetësimet tona”, tha ndër të tjera kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. /Telegrafi/