Telegrafi

Haradinaj: Për shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë, u shpenzuan vetëm 175 mijë euro

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, pas akuzave që iu bënë Qeverisë që ai drejton për ndarjen e 500 mijë eurove për festimin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka sqaruar para deputetëve ndarjen e këtyre mjeteve.

Haradinaj ka thënë se nuk janë shpenzuar të gjitha këto para në shënimin e 11 vjetorit të Pavarësisë.

“Kostoja e shpenzimeve është rreth 175 mijë euro, janë ndarë para më shumë, paret kthehen. Kam kërkuar auditim të brendshëm me pa të vërtetën pas debateve që kanë ndodhur”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se ndarja e mjeteve nga rezervat shtetërore është praktikë e vazhdueshme e Qeverive që kanë udhëhequr me vendin.

“Në vitin 2016 kanë qenë 8 milionë e 187 mijë euro për shpenzime të paplanifikuara. 7 milionë e 40 mijë janë ndarë në vitin 2017. Është praktikë e vazhdueshme e qeverive paraprake për ndarjen e këtyre mjeteve”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka thënë se e mirëpret diskutimin për shpenzime dhe ruajtjen e parasë publike, duke theksuar se kjo është praktikë e mirë me ballafaqua Qeverinë. /Telegrafi/