Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka falënderuar kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se e përkrah fuqishëm vizionin e Kryeministrit Borissov për një Evropë gjithpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Shpreh respekt të veçantë për Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov, për qëndrimin parimor ndaj Kosovës dhe të drejtës sonë për të qenë pjesë e familjes europiane. Vendimi, që samiti i ardhshëm të ketë nikoqir Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut e bënë edhe më domethënës procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Kosova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi dhe rreshtohet krah aleatëve si vlerë e shtuar e integrimit të rajonit në BE. Njohja reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues, do të hapte perspektivën tonë. E përkrah fuqishëm vizionin e Kryeministrit Borissov për një Europë gjithpërfshirëse, që shkon përtej mendësive të shekullit të kaluar, mendësi që kanë krijuar tragjedi dhe përjashtime. Pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse të familjes europiane, BE nuk do të jetë e plotë. Faleminderit Boyko!”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, i cili i ka kërkuar shefit të ri të diplomacisë evropiane, Josep Borell, që të përfaqësojë qëndrimin e gjithë BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe jo Spanjën, shtetin nga i cili vjen ai në këtë post.
Një deklaratë e tillë, e ka nervozuar shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili e ka porositur kryeministrin bullgar Bojko Borisov që të respektojë qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe jo t’i mbajë leksione shefit të sapozgjedhur të diplomacisë evropiane, Josep Borell. /Telegrafi/