Telegrafi

Haradinaj pasi u shënuan 36 vdekje nga COVID-19: Situata e rëndë, nuk menaxhohet me takime rutinë e me masa sipërfaqësore

​36 të vdekur nga COVID, Haradinaj: Ky pushtet e kjo klasë politike duhet të kthjellet

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas rekordit të rasteve me koronavirus, 36 të vdekur për vetëm 24 orë, duke shënuar kështu numrin më të madh të viktimave që nga fillimi i shpërthimit të kësaj sëmundjeje të rrezikshme në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se situata është jashtëzakonisht e rëndë dhe nuk menaxhohet me takime rutinë e me masa sipërfaqësore, por Qeveria duhet t’i orientojë krejt potencialet njerëzore e financiare në mbrojtje të shëndetit të popullit dhe se detyrë mbi detyrat sot është mposhtja e sëmundjes së shekullit.

“36 prej nesh, prej sot nuk janë më. Ky është një rekord i zi për Kosovën. Përtej politikës, ky pushtet e kjo klasë politike duhet të kthjellet. Me shpresë se ky i sotmi është rekordi i fundit i zi, e ftoj kryeministrin Kurti ta kuptojë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe të veprojë në përputhje me situatën”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ai njëherësh u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave nga COVID-19.