Pa asnjë kundër kandidatë dhe me aklamacion, sot në Kuvendin e VIII zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 529 delegatë kanë rizgjedhur Ramush Haradinajn kryetar të AAK-së edhe për një mandat katërvjeçar, i cili aktualisht është edhe kryeministër i Kosovës.
Kryetari Haradinaj, duke i falënderuar delegatët për besimin e dhënë, ka thënë se nuk do të ndalet asnjë herë së punuar për të mirën e Aleancës dhe Kosovës, sepse sipas tij, është një besim që mbetet një obligim i madh.
Ai ka ftuar anëtarësinë e tij, që të jenë sa më të bashkuar dhe ta ndihmojnë rritjen e Aleancës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe komunale.
“Ju lus që të jemi bashkë ta ndihmojmë njëri tjetrin që ta rrisim Aleancën nga ky kuvend deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe komunale. Unë nuk kam me u ndalë, kam me punuar intensivisht që kam me shfrytëzuar krejt dijeninë e të gjitha ata mundësi e çdo kapacitet që ekziston në këtë vend që ta rrisim Aleancën bashkë. Urime, faleminderit”, ka thënë Haradinaj pas rizgjedhjes si kryetar i AAK-së.
Haradinaj po ashtu shkarazi mori shembull suksesin edhe të dy futbollistëve kosovarë që luajnë për kombëtaren e Zvicrës, të cilët ishin golashënues të ndeshjes kundër përfaqësueses së Serbisë në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.
“E para për të pasur sukses duhet të jemi sa më të bashkuar, dhe sa më shumë për njëri-tjetrin. Çelësi i suksesit, i çdo ekipe është kjo – edhe Xhaka dhe Shaqiri – për me dhënë gol dikush ua ka pasuar topin. Për me ardhur ata deri te ai gol, shumë mund, shumë rrugë e tyre, e prindërve të vet e shumë kujt tjetër. Andaj ju lutna pra që të jemi ekip, ju lutna të punojmë si ekip. Ju lutna të mendojmë shumë për njëri tjetrin. Nëse mendojmë për njeri tjetrin kjo nuk është kundër Kosovës, kundër atdheut, kjo është pikërisht për Kosovën, për atdheun”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë Kuvend zgjedhor pati diskutime dhe aprovim të ndryshimeve statutare, në këtë rast për mandatin e kryetarit, ku nga tre vjet është bërë katër vjet mandati i kryetarit të AAK-së. /kp/Telegrafi/