Site icon Telegrafi

Haradinaj pas nominimit të Kurtit për kryeministër: Po bën hajgare me procedurat kushtetuese

Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryetari i LVV-së, Albin Kurti po bën hajgare me procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë.

Në shkrimin e bërë në Facebook, Haradinaj ka thënë se nominimi për mandatar nuk dorëzohet në Presidencë pa i pasë numrat për formimin e Qeverisë, dhe se Kurti po bën vonesa me qëllim që ta dërgojë vendin prapë në zgjedhje, transmeton Telegrafi.

“Albin, nominimi për mandatar nuk dërgohet në Presidencë pa i pasë numrat e dakorduar – përveç nëse qëllimi yt është të shkaktosh akoma më shumë vonesa, e ta dërgosh vendin ne zgjedhje prapë! Shansën e dhënë nga LDK-ja e refuzove paturpësisht, për një pozitë të kryeparlamentarit, të cilën e fitove me tregti për t’a kompensuar koncesionin që e bëre me postin e Presidentit”, ka shkruar ajo.

Lexo po ashtu Kurti: Ende nuk kemi marrëveshje me LDK-në, po presim t'i kthehemi bisedimeve

Reagimi i plotë:

“OPOZITA ME SHTETIN

E turpshme se si Albini po vazhdon opozitëbërjen me shtetin e Kosovës dhe me qytetarët e saj.

Sovrani ia dha mandatin për kryeministër, ai bën hajgare me të. Bën hajgare me procedurat kushtetuese, dhe me rregullat e demokracisë. I dhunon e përçmon ato si të ishte diktator.

Albin, nominimi për mandatar nuk dërgohet në Presidencë pa i pasë numrat e dakorduar – përveç nëse qëllimi yt është të shkaktosh akoma më shumë vonesa, e ta dërgosh vendin ne zgjedhje prapë! Shansën e dhënë nga LDK-ja e refuzove paturpësisht, për një pozitë të kryeparlamentarit, të cilën e fitove me tregti për t’a kompensuar koncesionin që e bëre me postin e Presidentit.

Aftësitë tua për të tregtuar pozita për pushtet i përjetuam kur dëgjuam se si tentoje të përfitosh duke ofruar ‘heqjen dorë’ nga emrat e të nominuarve për zvKM të dytë, Ministër të Jashtëm, e Ministre të Ekonomisë. Këtë aftësi e vullnet tregtar nuk mund ta fshehësh me kundërshtimin taktik të heqjes dorë nga pozita e Kryeparlamentarit. Tani po të njohim të gjithë, por ata që besuan në ty, nuk po munden me e përcjellë e me pranu shpejtësinë e ç’mitizimit tënd.

Po e përsëris që në demokraci, me vetëm 26% nuk mund t’i marrësh të gjitha. Të gjitha urat që i ke rrënuar dje, do të jetë e pamundshme t’i ndërtosh brenda natës për të kaluar lumin e të bëhesh kryeministër.

Kur e vendos veten para demokracisë, përfundon si sot në atë video: i dëshpëruar duke mohuar të dyja! Paç veten në qafë”./Telegrafi/

Exit mobile version