Telegrafi

Haradinaj: Operacionet policore në veri të qëllimshme, po bëhen me dorëzu atë pjesë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pas dy operacioneve policore në veri të vendit ka pasur përkeqësim të rendit dhe ligjit, dobësim të shtetit ligjor. 

Ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha beson se të gjitha ata që janë të fushës mund të japin këtë vlerësim.

“Pas dy herëve që ka operu Kosova në veri me Policinë të dy herët kemi dalë më dobët. Herën e parë na është mbajt policia peng në pikat doganore dhe një i sëmur polic nuk ka mundur të bartet në spital dhe këtë e dinë të gjithë dhe herën e dytë policia jonë ka mbërri mjaftueshëm me qenë konflikt me grupet kriminale dhe operacioni blic me ndodh në shpejtësi… me kthy dhe me lanë terrenin  në dorën e kriminaleve…”, tha Haradinaj.

Sipas tij, të dy herët operacionet në veri janë të ngjashëm me qasjen e Shakashvillit dhe po bëhet qëllimshëm me dorëzu veriun.

“Qëllimshëm është duke ndodh, është projekt diku… nuk e di pse po ndodhë po ata që merren me rendin dhe ligjin e dinë që Kosova është më e dobët në veri pas këtyre dy operacioneve”, tha ai.

“Dua sqarime dhe ta di pse duhet mu dobësu shteti ligjor në veri”, pyeti Haradinaj. /Telegrafi/