Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.2 milion euro për lobim për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, mirëpo se ku saktë do të shpenzohen këto para kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se do të bëhet e ditur pas destinimit të mjeteve.
Këtë deklaratë, kryeministri e bëri pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa në një konferencë për media ku tha se në bazë të ligjit kanë të drejtë të mbajnë në konfidencë çështje të tilla.
Haradinaj, po ashtu vlerësoi punën e ministrit Mustafa dhe stafit të tij, ku tha se folën për disa çështje kryesore si luftimi i krimit, siguria në vend.
Ai potencoi se janë dhe dy punë shumë të rëndësishme, siç është anëtarësimi në Interpol dhe liberalizimi i vizave.
“Kishim një takim pune. Fokusimi ishte tek tri punët bazë, luftimi i krimit dhe mbrojtja e rendit publik në vend, por i kemi edhe dy punë tjera shumë të ndjeshme është Interpoli dhe liberalizimi i vizave. Për shkak të ndërrimit të ministrave, kam ardhur të bisedojmë se a është mbuluar çdo potencial dhe a ekziston një raport i ndërsjellë nga ministri me të gjithë të ngarkuarit në punë. Përshtypja nga takimi i sotëm është me të vërtetë janë në një nivel i mirë. Të gjithë i kanë marr detyrat mirë”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur se a do ta mirëpres ministrin turk, Mevlut Çavushogllu i cili sot vjen në Kosovë, ai tha se Kosova gëzon respekt ndaj Republikës së Turqisë.
Ai gjithashtu theksoi se shpreson që Turqia do të marr një rol direkt në përkrahjen e Kosovës për Interpol.
“E mirëpres takimin. Jemi të interesuar që të vazhdojmë një komunikim të respektueshëm me Republikën e Turqisë. Është një vend që gëzon respekt. Shpresoj që Republika e Turqisë do të merr një rol direkt në përkrahje të votave për Interpol…”, tha ndër të tjera kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/