Site icon Telegrafi

Haradinaj nga QKUK-ja: Përveç pensioneve, do të ndajmë edhe një shumë shtesë për të gjitha familjet e policëve të rënë në detyrë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka vizituar policin Artur Mrasori i cili gjendet i shtrirë në QKUK, pasi u lëndua mbrëmë në shpërthimin që ndodhi në Zhur të Prizrenit, ku mbeti i vdekur polici Sami Thaqi.

Haradinaj tha se polici ka lëndime me pasoja por që jeta e tij është jashtë rrezikut.

“Ka lëndime, janë lëndime me pasoja mirëpo besojmë që jeta e tij është jashtë rrezikut. Jemi këtu do ta përcjellim këtë gjendje me kujdes, dhe në rrethanat që paraqiten do të jemi të gjithë bashkë. I shprehu ngushëllime familjes për policin e vrarë”, ka thënë Haradinaj, shkruan Telegrafi.

Kryeministri në detyrë, shtoi se sot do të marrin një vendim që familjeve të të gjithë policëve të rënë në detyrë, krahas pensionit që marrin t’u ndahet edhe një shumë tjetër.

Haradinaj më tej theksoi se Ligji për sigurimet shëndetësore për policinë dhe Ligji për pensionim të parakohshëm, janë të domosdoshëm dhe do të kryhen.

“Është një kërkesë e drejtë e policisë për ligjin për sigurime shëndetësore dhe ligjin për pensionim të parakohshëm. Jemi në pritje të formimit të qeverisë për t’i dërguar këto ligje për miratim, dhe kjo do të ndodh. Gjatë këtyre dy viteve është e vërtetë që kemi qenë më afër policisë edhe me buxhet edhe me përkrahje që nuk ka ndodh ndonjëherë, mirëpo ato dy ligje janë të domosdoshme dhe duhet mi realizua. Sot do të marrim vendim që policëve të rënë në detyrë krahas pensionit që marrin do të shtojmë edhe një shumë gjatë gjithë kohës për familjet e të gjithë policëve të rënë në detyrë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se pjesëtarit të policisë që do të shërohet në vend nuk do t’i mungojë asgjë, dhe në rast se ka nevojë do ta dërgojnë edhe jashtë vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version