Telegrafi

Haradinaj në Pejë: Na ndihmoi Zoti, NATO dhe Amerika

Kryeministri Ramush Haradinaj në tubimin përkujtimor të organizuar në Pejë në Ditën e Dëshmorëve ka folur për vitin 1999 atëherë kur Peja ishte e shkatërruar nga forcat serbe.

Haradinaj tha se falë gjakut të dëshmorëve, martirëve dhe të dhunuarve sot gëzojmë lirinë.

“Kjo liri e tillë ishte me dhimbje dhe vuajtje për fat të keq s’ishim aq vigjilent dhe të kujdesshëm që të mos të lejojmë vrasje dhe të tjera, edhe pas luftës kemi humbë shumë bashkëluftëtarë që është e papranueshme por besoj që jemi mbush mend. Historia na ka mësua që kur jemi të vendosur dhe kemi qëllim të drejtë na ndihmon dhe zoti. E vërtetë, edhe neve na ndihmoi Zoti, NATO e Amerika”, tha ai.

Ai tha se do të vazhdojnë të fuqizojnë shtetësinë e Kosovës, duke përdorur të gjitha mekanizmat shtetëror.

Kritikoi ashpër zyrtarët serbë të cilët sipas tij po i mohojnë krimet e bëra në Kosovë, ndërsa i bëri thirrje të gjithë botës që të mos lejojnë politikanët serbë të mohojnë gjenocidin në Kosovë.

“Mohimi i krimeve duhet me qenë alarm edhe për Evropën edhe për Amerikën. Nuk guxon bota e qytetëruar me ia lejua tash udhëheqjes së Serbisë me i mohua ato krime. I bëj thirrje të gjitha kryeqyteteve dhe Washingtonit zyrtar që na kurrë s’kemi me e lejua këtë, na kemi çdo herë me vertetua këtë se në Kosovë ka ndodh spastrim etnik”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në tubimin përkujtimor në Pejë për t’i nderuar 183 dëshmorët e kësaj zone, që humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë, morin pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, deputetë dhe kryetarë komunash.

Fillimisht u bënë homazhe tek shtatorja e Haxhi Zekës dhe Shkëlzen Haradinjat, si dhe tek pllaka që mbanë emrat e të rënëve të luftës.