Telegrafi

Haradinaj në Mitrovicë: Kurti me eksperimentet ndaj aleatëve ia humbi tri vjet Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizituar Komunën e Mitrovicës me që rast ka takuar të parin e kësaj komune, Bedri Hamza.

Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për zhvillimet në rajonin e Mitrovicës me theks të veçantë për situatën e krijuar në Trepçë.

“Së bashku me kryetarin e degës së Aleancës në Mitrovicë z. Qazim Nimani, sot kam takuar ish kolegun, tani kryetar i Komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza. Kemi disktuar për zhvillimet e fundit në rajonin e Mitrovicës dhe për problemet me të cilat po përballet aktualisht kjo trevë. Shpreha shqetësimin për situatën e krijuar në Trepçë që ka shtyrë minatorët të hynë në grevë, por edhe për neglizhencën e qeverisë qendore në Prishtine në raport me Trepçën”, u shpreh Haradinaj.

Tutje theksoi se Kurti me eksperimentet e tij dhe veprime pas shpine ndaj aleatëve dhe qytetarëve, Kosovës ia ka humbur tri vite të çmuara.

“Kryeministri dhe qeveria me eksperimentet e tyre dhe veprimet pas shpine ndaj qytetarëve e ndaj aleatëve i kanë humbur 3 vjet të çmuara jo vetëm Mitrovicës por gjithë vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme të cilat po reflektojnë edhe në zbrazjen e vendit. Është momenti i fundit që këto praktika eksperimentale të ndalen dhe Kosova urgjentisht t’i kthehet rrugës së saj euro-atlantike. Vetëm nën ombrellën e NATO-s jemi të sigurtë!”, shkroi Haradinaj.