Telegrafi

Haradinaj në 23-vjetorin e AAK-së në Pejë: Peja dhe Aleanca janë sinonim i njëra-tjetrës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj ka thënë se Aleanca dhe Peja janë sinonim i njëra-tjetrës.

Ai këto fjalë i tha në shënimin e 23-vjetorit të krijimit të AAK-së në Pejë, me ç’rast takoi strukturat e partisë atje.

Haradinaj në profilin e tij zyrtar në Facebook tha se Aleanca në Pejë, në radhët e veta ka njerëz që gërshëtojnë vlera të larta, të dëshmuar si në përpjekjet për liri dhe shtetndërtim.

“Nder i veçantë që sot të festojmë shënimin e 23-vjetorit të themelimit të AAK-së në Pejë, me struktura të degës dhe me miq të shumtë me të cilët rrugëtojmë bashkë që nga themelimi i Aleancës.

Rast i mirë që njëherësh të shpreh mirënjohjen time të thellë për secilin që ishte pjesë e rrugëtimin tonë politik përgjatë 23 viteve jo edhe të lehta as për ne e as për Kosovën! Ndaj udhëheqësve të degës nëpër kohë të ndryshme si dhe ndaj secilit aktivist për angazhimin e pashoq, të cilët nuk u dorëzuan së punuari për Aleancën dhe Pejën.

Aleanca në Pejë, në radhët e veta ka njerëz që gërshëtojnë vlera të larta, të dëshmuar si në përpjekjet tona për liri dhe shtetndërtim”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/