Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka thënë se me anë të Mini-Shengenit po bëhet zgjerimi i influencës ruse dhe kineze në Ballkan.
Haradinaj ka shtuar se ky organizimi nuk është në interes të Kosovës, veçanërisht edhe i Evropës.
“Liberalizimi është proces multilateral Kosovë-Evropë. Mini-Shengeni është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Nuk është Mini-Shengeni interes i Kosovës, as i Evropës. Rusia e Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd. Kur ne bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë në Beograd zgjerohet në vendet tona. Kosova nuk ka interes që ajo influencë të zgjerohet tek ne. Nuk është në interes as të liberalizimit, as të proceseve integruese as asgjë”, tha Haradinaj.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të integrimeve evropiane e kanë kundërshtuar nismën e Mini-Shengenit ballkanik.
Sipas tyre, pas kësaj nisme fshihen shumë të panjohura që nuk e marrin për bazë realitetin politik të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
Kujtojmë se, më 10 nëntor gjatë një takimi në Ohër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, pa pjesëmarrjen e Kosovës kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal. /Telegrafi/