Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, gjatë së martës do të marrin kompensimin financiar.
Kjo pagesë është siguruar në bazë të Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit të Kosovës për këtë periudhë, i cili është miratuar në fund të muajit shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Lajmin për këtë e ka dhënë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, sipas tij, ky është një kompensimin ligjor e material për punën e mësimdhënësve.
“Lajm fantastik për mijëra arsimtarë dhe mësues si dhe për familjet e tyre, që kanë punuar në sistemin arsimor të Kosovës gjatë viteve 1990-1999. Ata nga sot do të marrin kompensimin ligjor e material për punën e tyre heroike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Vlera për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta, nis nga 19 deri në 70 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar dhe kjo shumë iu ndahet në bazë të këtij ligji.
Kostoja e zbatimit të ligjit për vitin 2019 do të jetë 6.6 milionë euro dhe për vitin 2020 rreth 7.4 milionë euro.
Ndërkaq numri i mësimdhënësve të cilat ishin të angazhuar në procesin arsimor gjatë viteve 1990-1999 llogaritet të jetë rreth 23 mijë. /Telegrafi/