Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafin ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës lidhur me qasjen ndaj temave nacionale në vend.
Ai në intervistën për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu duke folur për qasjen e LDK-së karshi dialogut me Serbinë tha se LDK e ka kthyer Parlamentin në një lloj arene për kandidaturat e tyre dhe se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i partisë.
Sipas tij, konfuzioni i LDK-së ka shkuar aq larg sa ka votuar kundër fondeve të IPA-së.
“Duhet t’i ndajmë temat. Janë disa tema që janë nacionale dhe ato që janë gara në parti”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se këto dyja nuk guxojnë të ngatërrohen.
“Konfuzioni i LDK-së shkoi deri në atë situatë që nuk votojë për fondet e IPA-s. Paret që BE-së i jep falë për vendet që aspirojnë e BE-në. LDK votoi kundër pareve që i jepen falë Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai tha se kjo flet për konfuzionin që është krijuar në LDK dhe për paqartësinë e tyre karshi proceseve të vendit.
Sipas tij, deri tani nuk janë bërë kalkulime kaq të imta politike e në dëm të qytetarëve. /Telegrafi/