Site icon Telegrafi

Haradinaj, Kurtit: E ke humb rrugën, do me e ba llugë edhe në dialog, është fisnike me ditë kur me u tërheq

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka hedhur kritika të ashpra drejtuar kryeminsitrit Albin Kurti.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka ironizuar me Kurtin, dukë thënë se ka hyrë në zanat të huaj, dhe se e ka humbur rrugën.

“Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim. Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq”, u shpreh Haradinaj.

Sipas tij, Kurti ka krijuar ndarje politik, fetare e shoqërore.

“Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin”.

“Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë. Në rrafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar. Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit. Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit. Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore. Shtresën e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale”, tha Haradinaj.

Ai përmendi edhe mësuesit mjekët e të tjerë që siç tha e kanë problem të mbijetojnë për shkak të neglizhencës qeveritare.

“Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero”, shtoi tutje.

Haradinaj përmendi edhe gjendjen energjetike në vend.

“Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katstrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër”.

Po ashtu hodhi kritika edhe për dialogun.

“Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më”.

Në fund Haradinaj kërkoi dorëheqjen e Kurtit.

“Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit”, tha Haradinaj./Telegrafi

Exit mobile version