Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza ndaj Albin Kurtit në përpjekjet për ta larguar taksën.
Haradinaj, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se largimi i taksës do ta kthente Kosovën në një pikë ku e kishte dërguar Presidenti Thaçi.
“Zoti Kurti do të mbahet përgjegjës që po e kthen Kosovën në një proces që e ka kaluar Kosova e për të cilin e kishte akuzuar zotin Thaçi”.
Ai ka thënë se taksa ka pasur peshë sa rrëzimi i qeverisë ndërsa Kurti po e jep atë pa asnjë kundërpeshë, përcjell Telegrafi.
I pari i AAK-së ka thënë Kurti ka ndryshuar shumë dhe së fundmi shihet edhe respekti që flet për Listën Serbe.
“Ata [Lista Serbe] janë po të njëjtit siç kanë qenë edhe kur ishin në qeveri bashkë me ne”.
I pyetur nëse Kurti po ndjehet i frikësuar nga deklaratat e tij, Haradinaj është përgjigjur.
“Kurti nuk ka nevojë të frikësohet pasi edhe ai edhe unë jemi të zgjedhur të popullit, por ai duhet t’i dijë limitet çka lejohet e çka jo pasi”.
Haradinaj thotë se pavarësisht se Kurti ka premtuar reciprocitetin ma mirë për atë dhe vendin është ta thyej atë premtim.
“Ai ka premtuar edhe njohjen nga Serbia e shumë gjëra tjera por më mirë është të thyej premtimin për taksën”.
Ish-kryeministri thotë se Kurti ka ndonjë zor të madh që po e largon taksën.
“Largimi i taksës është kërkesë e Serbisë. Nuk ka logjikë që ai ta largojë nëse nuk është peng i diçkaje që ne nuk e dimë. Ai duhet ta tregojë problemin para popullit. Kurti është i njëjti njeri që ka rrëzuar kamionë. Ai ka ndonjë zor të madh që po merr këtë veprim”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj./Telegrafi/