Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi ky i fundit ka gjykuar vendimet e prokurorit në foltoren e Kuvendit, për rastin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Haradinaj tha se nëse vazhdon me kësi lloj veprimesh, Kurti mund të rrëshqas në diktaturë.
“Ndarja e pushteteve është themeli i funksionimit të sistemit demokratik të një shteti. Kur pushteti e sulmon sistemin gjyqësor të vendit të vet, ai pushtet e ka një problem serioz”.
“Kryeministri gabon rëndë kur i jep të drejtë vetes për t’i gjykuar veprimet e një prokurori, edhe nëse ai ka dyshime për punën e tij. Ai rrëshqet në diktaturë kur thotë se një person nuk do të mund të bëhet kryeprokuror sepse kjo është kundër dëshirës së tij. Vendosja e një kryeprokurori nuk bëhet sipas dëshirave të kryeministrit. Të paktën jo në sistemin tonë të drejtësisë”.
“Kam frikë se diskursi i kryeministrit i shpërfaqur sot në foltoren e Kuvendit të Kosovës është jo vetëm i gabueshëm, por edhe me pasoja të rënda për shtetin e për drejtësinë, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Prandaj, sot kam kërkuar që kryeministri dhe njerëzit e pushtetit të tij të vendosen në anën e drejtësisë e jo kundër saj. Ai duhet distancohet nga sulmet e parreshtura që po i bëhen prokurorisë dhe ta lërë drejtësinë ta bëjë punën e vet! Në të kundërtën, ai do të shndërrohet në sinonim të një kryeministri autoritar dhe gjithë pasojat do t’i bartë ai vet”, përfundoi ai.
Arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvend si dhe akuza e kundërakuza ndërmjet pushtetit dhe opozitës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se shefi i KEK-ut ndodhet në ndalje për 48 orë dhe sistemi i drejtësisë është që merret me të.
“Besojmë që të merrem me profesionalizëm e përpikëri…”, u shpreh Kurti, duke shtuar se pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit.
Që rastin e vrasjes së ish shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e ka kategorizuar në vetëvrasje, ndërsa rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopës e shndërroi në vrasje.
Po bëhet fjalë për një prokuror që asnjë rast se ka të fituar në gjykatë dhe ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror…”, tha Kurti. /Telegrafi/