Telegrafi

Haradinaj: Kurti, kryeministër i autostradave imagjinare

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj një postimi të kryeministrit Albin Kurti, në korrik të vitit 2023, ku kishte shpërndarë një video e kishte thënë se në vitin 2023 do të hapet autostrada Prishtinë-Gjilan.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i ka uruar Kurtit Vitin e Ri duke e quajtur “kryeministër i autostradave imagjinare”.

“Me këtë ritëm në këtë vit besojmë që ke me e përfundu edhe autostradën po ashtu imagjinare Prizren-Tetovë, gjithashtu edhe autostradën e Dukagjinit në kohë rekord”.

“Qesharak dhe jo serioz. Të vetmet autostrada që po përjetojnë qytetarët tanë, janë ato të Evropës, në ikje nga ky vend që ja ke mbytë shpresën”, ka thënë Haradinaj,duke i bashkangjitur postimit të tij, postimin e kryeministrit Kurti në korrik të  vitit 2023, ku thotë se “Autostrada Prishtinë –  Gjilan po bëhet. Ajo do të hapet këtë vit”. /Telegrafi/