Telegrafi

Haradinaj: Kurti fjalë ka por jo vepra, u tregua i pazoti me Rakiqin

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka fajësuar Kurtin për reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve në lidhje me refuzimin e zgjedhjeve serbe.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se refuzimi i zgjedhjeve serbe ka qenë vendim i drejtë, por sipas tij është hera e parë kur vendi ynë është fajësuar tepër nga partnerët tanë.

“Kosova si palë ka qenë e dobët në përfaqësimin e të drejtës së vet. Kjo flet për kualitetin e palës së Kosovës. Pra Kosova ka marrë gjuhën më fajësuese të mundshme nga aleatët më të rëndësishëm për ne”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se Qeveria duhet të përgatitet pas zgjedhjeve serbe.

“Zhvillimet do të jenë të shpejta dhe ne duhet të përgatitemi pas asaj pozite ku na ka vendosur QUINT-i. Rreziku është që Serbia të fitojë një pozicion të favorshëm në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Haradinaj thotë se pos Rakiqit Kurti është dashur të shkarkojë edhe Besnik Bislimin pas demantimit që i kishte bërë zyrtari evropian.

“Po shihet se Kurti është bukur i pazoti për të vepruar në lidhje me Rakiqin. Ka shumë fjalë por në veprim është bukur i pazoti”, deklaroi tutje Haradinaj./Telegrafi/