Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti i cili ka thënë se asgjë nuk i shërben paqes më shumë se anëtarësimi i Kosovës në BE dhe në NATO.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se është Kurti ai i cili e ka larguar Kosovën nga rruga drejt BE-së dhe NATO-s.
“Albin Kurti paska thënë se asgjë nuk i shërben paqes më shumë se anëtarësimi i Kosovës në BE dhe në NATO. E paska zbuluar ujin e nxehtë!!! Por paska harruar mashtruesi se nëse ka një njeri që e ka larguar Kosovën edhe nga BE edhe nga Nato dhe e ka kthyer në rrugë të mbrapshtë, është pikërisht ai”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Kurti nuk po heq dorë nga mashtrimet e tij ordinere.
“Ky mashtrues nuk po heq dorë nga mashtrimet ordinere të tij, edhe pse ai definitivisht nuk mund të mashtrojë njeri më!”, është shprehur Haradinaj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s më 27 maj 2024.