Site icon Telegrafi

Haradinaj kujton masakrën e Srebrenicës: Krimi ka mbetur i pandëshkuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës në 25 vjetorin e saj.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se regjimi i Sllobodan  Millosheviqit la njolla të pashlyera në ndërgjegjën njerëzore.

Ai tha se krimi edhe më tutje ka mbetur i pandëshkuar dhe i pa cilësuar ligjërisht.

“Njëzetepesë vite kaluan nga Masakra e Srebrenicës. Regjimi i Millosheviqit, një regjim mizor që realizoi projektet shoviniste me dhunë e gjenocid, la njolla të pashlyera në ndërgjegjien njerëzore. Kujtojmë me respekt jetët e humbura të fëmijëve, grave, të moshuarve, njerëzve të pambrojtur e pa asnjë faj.Plagët janë të hapura. Krimi edhe më tutje ka mbetur i pandëshkuar dhe i pa cilësuar ligjërisht”, ka shkruar Haradinaj.

Ai po ashtu theksoi se populli i Kosovës e bashkëndjen popullin boshnjak, pasi e njëjta gjë ndodhi dhe me Kosovën.

“E njëjta ndodhi edhe me popullin e Kosovës. Prandaj, duke bashkëndjerë me popullin boshnjak, i sigurojmë ata, se ne i kuptojmë më së miri vuajtjet dhe përjetimet e tyre”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version