Telegrafi

Haradinaj: Kryeministër lëre Greqinë, eja merru me problemet e vendit!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar për gjendjen e rëndë të qytetarëve të Deçanit, si pasojë e helmimit. Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të braktis simpoziumin e partive të majta në Greqi dhe të kthehet në Kosovë.

Gjendja e rëndë në Deçan, si pasojë e helmimit të mbi 1 500 qytetarëve, ka bërë që të reagojnë përfaqësues të partive politike në vend, duke kërkuar mobilizim dhe përgjegjësi nga institucionet e vendit, e në radhë të parë Qeverisë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se “njoftimet nga Deçani janë shqetësuese dhe flasin për një gjendje të rëndë të shëndetit të qytetarëve”.

“Situata është pothuajse alarmante”.

“Ndërkohë Kryeministri Kurti vazhdon qëndrimin 6 ditor në simpozium të partive të majta në Greqi. E pabesueshme!”, ka thënë Haradinaj, në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

“Kryeministër, lëre të majtën se ka kush merret me të. Eja merru me problemet e vendit tënd!”, ka thënë Haradinaj.

Që nga dita e shtunë mbi 1 mijë e 500 pacientë në QKMF në Deçan kanë kërkuar ndihmë pas dyshimeve të ngritura lidhur helmim të ujit.

Ndryshe, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka bërë të ditur sot se në Deçan, gjatë 24 orëve të fundit, 310 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kanë pasur simptoma të helmimit.

“Ndërsa, që nga data 10 deri më 14 (korrik) janë gjithsej 1,062 pacientë. Prej orës 07:00 deri në 11:00 janë 55 pacientë”, tha ai.

Që nga fundjava e kaluar, banorët e Komunës së Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit, si: marramendje, të vjella, diarre dhe simptoma të tjera.

Ndërkohë është bërë e ditur se Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje sot në orën 15:0, por nuk është bërë e ditur se kush do ta drejtojë mbledhjen e kabinetit qeveritar./Telegrafi/