Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me projektet investive të Qeverisë Kurti.
I pari i AAK-së ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurti për anulimin e projektit të Autostradës së Dukagjinit duke zgjedhur vetëm zgjerimin e rrugës ekzistuese.
“Deklaratat bombastike të Qeverisë sikur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, qeveria po ia kursejka buxhetit të Kosovës 150 milionë euro, janë rrenë e kulluar elektorale”.
Haradinaj ka thënë se është e papranueshme “harrnimi” i rrugës ekzistuese si alternativë e projektit të ri.
“Me projektin e Autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita”.
Opozitari ka thënë se zgjerimi i rrugës ka kosto shumë të lartë.
“Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi”.
“Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur!”, ka shkruar tutje Haradinaj./Telegrafi/