Telegrafi

Haradinaj me kritika ndaj Qeverisë Kurti: Nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj përmes një statuti në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “Mburrja e eksponentëve të Qeverisë Kurti dhe deliri i tyre se pas 24 shtatorit janë rritë në përqindje, tregon se sa keq është Kosova e sa kalkulantë janë ata”.

“Këta njerëz harrojnë që në një operacion të rendit dhe të ligjit është vrarë një hero dhe Kosova është shndërruar në problem të sigurisë e pafytyrësisht mburren se si janë rritë në përqindje”, tha Haradinaj.

Sipas tij, këta njerëz harrojnë që para shumë vitesh Kosova është ndier e sigurtë, dhe nisur nga ky fakt Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar patën tërhequr trupat e tyre në kuadër të KFOR dhe tash siç tha ai “janë detyruar të rikthehen”.

“Këta njerëz nuk po e kuptojnë dëmin që po ia shkaktojnë Kosovës me qasjen e tyre mburravece dhe me të panjohurat që pasojnë kur çështja e sigurisë së brendshme, kthehet në çështje të sigurisë ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/