Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka komentuar edhe iftarin e shtruar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ku prezent ishte edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve nuk janë të individëve, por të dy popujve.
“E para, marrëdhëniet Kosovë-Amerikë nuk janë të individëve, por janë të të dy popujve. Këta individët shkojnë e vijnë plot. Ka pas ambasadorë para Vlorës, ka edhe do të ketë, kryeministra e ministra e të gjithë, por janë marrëdhënie në mes të dy vendeve”, ka thënë Haradinaj.
Ai madje ka kritikuar shumicën e ambasadorëve të Kosovës, që sipas tij nuk i kanë paraqitur mirë temat e interesit nacional
“Temat e interesit nacional shumica e ambasadorëve nuk i kanë paraqitë qysh i ka paraqitë kryeministri, ju e dini këtë. Kemi pas ndarje të brendshme në disa tema, besoj që ju ka shërbyer mirë të gjithëve me kuptua se mirë është me u konsultua paraprakisht secili me secilin në mënyrë që të shkojmë në qëndrime të duhura”, ka thënë Haradinaj.
Kujtojmë se muaj më parë, kryeministri Haradinaj e kishte quajtur ambasadoren Çitaku “ambasadore të Thaçit”. /Telegrafi/