Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd.
Haradinaj përmes një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ky ka qenë skenarë për destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe në Ballkanit.
“Është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenaret e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë Haradinaj.
Reagimi i plotë i Haradinajt:
Situata e krijuar si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar!
Ngjarjet në veri dhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës, janë pjesë e skenarit të përgatitur në Beograd. Reagimi i Policisë së Kosovës është përmbushje e detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Qëndrimi i Qeverisë së Serbisë dhe rreshtimi i saj krah grupeve kriminale e paraushtarake, është tejet shqetësues në këtë situatë dhe është sinjal i qartë se shteti i Serbisë është përfshirë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri.
Prandaj në një situatë të tillë është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenaret e destabilizimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin e Ballkanit. /Telegrafi/