Telegrafi

Haradinaj kërkoi mbështetjen e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, kryesuar nga David McAllister, me të cilët bisedoi për zhvillimet e gjithmbarshme në vend, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, Haradinaj e ka informuar delegacionin e PE-së për të arriturat në Kosovë, zhvillimin ekonomik, si dhe për përmbushjen e reformave evropiane.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, kërkoi nga delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian mbështetjen e mëtejme për liberalizimin e vizave, duke thënë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për heqjen e vizave, derisa qytetarët tanë mbeten të vetmit të izoluar në këtë pjesë të rajonit.

Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim për fuqizimin e sundimit të ligjit, forcimin e stabilitetit ekonomik të vendit, ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe për integrimet euroatlantike si orientim kryesor i vendit, transmeton Telegrafi.