Site icon Telegrafi

Haradinaj ironizon me Kurtin: Eh, sikur të mos e kisha bllokuar termocentralin ‘Kosova e Re’

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar njoftimin e kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se nuk është aty për të vajtuar por për të gjetur zgjidhje.

Haradinaj duke ironizuar me Kurtin ka thënë se mosbllokimi i projektit të termocentralit “Kosova e Re” nga Lëvizja Vetëvendosje sot nuk do të kishte shtrenjtim të rrymës në vend.

“Nuk është hera e parë që bjen e rikthehet ky bllok. Kryeministri i paska bërë disa pyetje hipotetike: eh sikur ta kishim të renovuar ‘Kosovën A’. Eh sikur ti kishim blloqet B-3, B-4… Eh sikur… Po paska harru të thotë: Eh sikur të mos e kisha bllokuar projektin ‘Kosova e Re’; Eh sikur të mos e kisha refuzuar gazin amerikan. Po e shkuara është e shkuar. Ai nuk është aty për të vajtuar por për të gjetur zgjidhje. Kryeministër mos e shtrenjto rrymën, e lëri retorikat”, ka reaguar Haradinaj.

Ndërsa, Kurti ka thënë se me kthimin e bllokut B2 të termocentralit “Kosova B” në funksion, tashmë për çdo orë po paguhen 50 mijë euro import më pak.

“Rreth 200 euro kushtoi 1 MWh në bursën ndërkombëtare të energjisë dje. Mirëpo sot në ora 10:15 u kthye në punë blloku B2 i TC ‘Kosova B’, me fuqi 245 MW. Sinkronizimi është bërë mbrëmë në ora 23:55, gjendja e turbinës është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për balancim. Me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1.2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila”, ka shkruar Kurti.

Lexo po ashtu Kurti: Me kthimin e bllokut B2 në funksion po paguajmë çdo orë 50 mijë euro import më pak

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar mbrëmë pas mesnate se njësia B2 prodhuese për energji elektrike është rikthyer në funksion.

Kujtojmë që në dhjetor të vitit që lamë pas KEK-u ka angazhuar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulën, në njësinë B2 të termocentralit “Kosova B”.

Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor për çka tani ZRRE ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version