Telegrafi

Haradinaj flet për taksën, liberalizimin e vizave dhe zhvillimet tjera në vend

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka folur për temat aktuale në vend si dhe vendimet e kësaj qeverie.

Haradinaj ka thënë se Qeveria i ka kryer detyrat e veta sa i përket kritereve për liberalizimin e vizave.

Ai tha se është i bindur që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh shume shpejt, duke mos dhënë afat kohor.

Haradinaj ka folur edhe lidhur me seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Me gjasë kemi dy seanca, një e paraparë në orën 17:00. Opozita e ka kërkuar një seancë për siç thonë ata ‘Liberalizimin e vizave’, dhe në këtë tavolinë që jemi sot i kemi kryer detyrat tona. Jam thellë i bindur që liberalizimi i vizave nuk do të vonohet për Kosovën. Nuk po them kur…”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri po ashtu tha se me vendimin e fundit për taksën ndaj mallrave serbe qeveria ka marr vendim të përgjegjshëm.

Ai theksoi se situata në vend është e qetë dhe se qytetarët nuk kanë mungesa të gjërave elementare për jetë prej vendosjes së taksave ndaj mallrave serbe.

“Qeveria ka marr vendime shumë të përgjegjshme…Jemi vërtetë të interesuar që temat e interesit nacional t’i ruajmë së bashku. Gjendja është e qetë dhe stabile në vend po ashtu dhe në veri. Të gjithë qytetarët nuk kanë mungesa të gjërave elementare prej vendosjes së taksave. Vendimi për taksën respektohet i plotë”, u shpreh kryeministri Haradinaj. /Telegrafi/