Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, emëroi dje Kreshnik Gashin shef të Agjencisë së Kosovës për Inteligjence, ndërsa Burim Ramadanin, kryeinspektor të këtij institucioni.
Për këto emërime, që tha se i ka bërë në bashkërendim me presidentin e vendit, Haradinaj është përgjigjur sot pas mbledhjes së qeverisë duke deklaruar se këtë vendim e ka marrë me vetëdije të plotë dhe duke ushtruar funksionet e tij në bazë të kompetencave që ka.
Për Burim Ramadanin, që është pjesë e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ky i fundit tha se e ka emëruar për shkak të aftësive profesionale dhe se nuk ka më të mirë se Ramadani për këtë post.
“Jam shumë i gëzuar që është Burimi për shkak të aftësive tij profesionale, mendoj që është kuadri më i mirë që kam mundur të gjej në Kosovë. Është më i miri që e ka Kosova për atë punë, ju siguroj. Gjejeni një më të mirë se Burimi në njohje profesionale, në tema e në angazhim, tema të sigurisë, nuk shërben si partiak, shërben si profesionist. Nuk kam shumë komente për kritikat e plota që i japin, një pjesë e njerëzve të Kosovës janë mësuar të jetojnë prej kritikës dhe të jetojnë me kritikën, është drejtë e tyre, por disa të tjerë duhet të punojnë. Kjo është përgjigja ime për të gjithë”, tha ai.
Haradinaj tha se me emërimin e drejtorit të AKI-së dhe kryeinspektorit, ka ushtruar funksionet e tij në bazë të kompetencave që ka dhe do t’i qëndrojë prapa.
Këto emërime u kundërshtuan dje nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila e quajti këtë vendim antikushtetues dhe politik./kp/Telegrafi/