Telegrafi

Haradinaj: Familjarët e morën vesh që jam arrestuar përmes medieve, kontakti me ta mu mundësua tek pas tri ditësh

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj i cili është paraqitur sot për herë të parë para Gjykatës Speciale ka thënë se deri të hënën nuk i është lejuar kontakti me familjarët e tij.

Haradinaj u pyet nga gjykatësi nëse ishte i informuar për arsyet e arrestimit, dhe nëse i është lejuar të kontaktonte një nga anëtarët e familjes.

Haradinaj tha se kur është arrestuar ishte informuar edhe me shkrim, kurse shtoi se kontakti me familjarët i është mundësuar vetëm pas tri ditësh të arrestimit.

“Diku tri apo katër ditë më vonë. Për arrestim kanë marrë vesh përmes mediave por që më kanë sjellë këtu dhe që kam mbërri mirë shumë më vonë. Tek mbrëmë kam kontaktuar me familjen, sepse ashtu kanë ardhur rrethanat”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se numrat i ka pasur të ruajtur në telefon, por që nuk e kanë lejuar t’i marrë.

“Unë i kam pas të dhënat në telefon, ju kam kërkuar me i nxjerrë, por nuk me kanë lejuar, kanë thanë në kujdesemi. Uroj që të ketë qenë e paqëllimtë, por kështu ka ndodhur. Telefoni ishte i hapur, mundeshin me i pa, por nuk deshën ashtu”, tha Haradinaj.

Seanca e parë në të cilën u paraqit Nasim Haradinaj përfundoi, ndërsa nuk u bë e ditur se kur do të vazhdohet me seancën tjetër, por gjykatësi tha se do të njoftohen me kohë për seancën e radhës. /Telegrafi/