Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për rastin e rëndë që ndodhi dje në Prishtinë, ku u vra një 35-vjeçare që ishte në muajin e fundit të shtatzënisë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kurti është është shndërruar në bashkëpjesëmarrës në krimet makabre që po ndodhin përditë.
Kjo pasi siç ka thënë, kryeministri e ka defunksionalizuar sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, ka poshtëruar policët, i ka lënë të leckosur e me paga mizerje, i ka detyruar mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, ka rrezikuar funksionalitetin e sistemit shkollor, duke i shtyrë mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj dhe vendin e ka shndërruar në gogol të komunitetit ndërkombëtar.
“Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por ai nuk e kishte mbrojtur. Burimi i së keqes e i krimit në këtë shtet e ka një shkak, e ka një burim dhe e ka një kokë!”, ka shkruar i pari i AAK-së.
“Kam qenë i pari që këtë kryeministër e kam quajtur ‘mashtrues’ dhe sot edhe ata që më kanë kundërshtuar më së tepërmi, kanë rënë në fjalë të mia. Nuk kisha pasur dëshirë të jem i pari që këtë kryeministër ta quaj edhe vrasës!”, ka shtuar ai. /Telegrafi/