Telegrafi

Emërohen shefi dhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka emëruar sot Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Haradinaj po ashtu ka bërë të ditur se ka emëruar edhe Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, transmeton Telegrafi.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shefi i ri i AKI-së, Kreshnik Gashi  (Foto: Facebook, Ramush Haradinaj)

Haradinaj ka thënë se profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani (Foto: Facebook, Ramush Haradinaj)

Kujtojmë se Haradinaj para disa ditësh kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e drejtorit të AKI-së.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me shefin e ri të AKI-së, Kreshnik Gashin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadanin (Foto: Facebook, Ramush Haradinaj)

Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore./Telegrafi/