Site icon Telegrafi

Haradinaj: Dialogun me Serbinë po e bëjmë për njohje, i panevojshëm paniku për shkëmbim territoresh (Video)

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për proceset që po kalon vendi, si çështjen e dialogut, liberalizimin e vizave, punën e zëvendësministrave, si dhe për qasjen e opozitës së Kosovës karshi temave nacionale.

Haradinaj duke folur për çështjen e dialogut theksoi se Kosova duhet të reflektoj gjendjen e saj reale politike dhe institucionale dhe i vjen keq që në këtë realitet politik opozita është e paqartë.

“Mendoj se Kosova duhet të reflektoj gjendjen reale politike dhe institucionale të saj. Institucionet i kanë përgjegjësitë e veta, presidenti, parlamenti e qeveria. Në këtë realitet politik duhet t’i kryejmë përgjegjësitë tona. Po më vjen keq që në këtë realitet politik opozita po është më e paqartë. Nuk e ka një qartësi si dëshiron me i ushtru përgjegjësit, obligimet që i ka ndaj temave të interesit nacional. Në të kaluarën janë gjetur formulat e unitetit që nga konferenca e Rambujes, pastaj nga bisedimet për pavarësinë, etj”, tha kryeministri.

Kreu i ekzekutivit të vendit tha se opozita në Kosovë është e padefinuar sa i përket dialogut dhe nuk është e gatshme t’i marrë përgjegjësit që i takojnë.

“Ne kishim një diskutim shumë përmbajtjesor dhe nëse marrim Rezolutën e PSD ishte një materie bazë, mirëpo u hetua një mos gatishmëri e opozitës me gjet formulë. Ne jemi të hapur për formulë”, tha Haradinaj, duke shtuar se LDK ka qenë në pushtet por nuk ka arritur të bëjë zgjidhje për shumë çështje të madha.

Ndryshe, Haradinaj u shpreh i bindur se dialogu me Serbinë do të vazhdojë dhe do të ndodhë njohja reciproke.

“Një gjë do të ndodh, njohja reciproke… .. Populli thotë mos e tut veten sa mos me dalë as në rrugë…. me pas qenë kaq ‘tutcana’ nuk ishim shku as rrugës së lirisë, pavarësisë e ma tutje…”, u shpreh kryeministri në këtë intervistë për Telegrafin.

Ai kërkoi nga spektri politik vizion dhe jo panik e debat të panevojshëm.

“Për njohje bisedohet… Dialog po bëjmë me Serbinë për njohje. Është pa nevojë debati e paniku”, u shpreh ai.

Duke folur rreth afatit kohor rreth mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai nuk përjashtoi që kjo të ndodhë deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, por megjithatë siç tha ai “marrëveshja varet nga të dy dyja palët”.

Duke komentuar udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi dhe mospajtimin e opozitës me këtë, ai tha se Thaçi është zgjedhur president kur Haradinaj ishte në opozitë.

“Në kohën kur ai është zgjedhur president, unë kam qenë kundër. Tani jemi në marrëdhënie institucionale…. Unë jam kryetar qeverie, Thaçi president, ndërsa Veseli kryetar i Kuvendit… Në realitetin  institucional nuk mundemi ma pa ëndrra. Ne kemi president. Pozicioni i LDK-së dhe partive tjera duhet të bazohet në realen e jo në imagjinare”, u shpreh kreu i ekzekutivit të vendit.

Ai tha se nëse presidenti nuk i kryen detyrat e veta, nëse grupet politike në Kuvend nuk i kryejnë detyrat e veta, procesin do të ecin por dëmin do ta kemi si Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version