Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj sot pas një takimi me Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtoratin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian tha se beson që shumë shpejt do të ketë vlerësim pozitiv për çështjen e vizave.
Haradinaj tha se drejtoresha Calavera i ka thënë se presin që së shpejti konkluzionet që do të vijnë do ta bëjnë realitet liberalizimin e vizave.
“Tash e dëgjuam edhe drejtoreshën që tha se së shpejti po presim konkluzionet që do të vijnë me bo liberalizmin realitet dhe më erdh mirë që e tha ajo”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se së shpejti Komisioni Evropian do ta jap propozimin, i cili do të diskutohet në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin Evropian.
“Edhepse besoj që së shpejti do të kemi vlerësimin pozitiv prapë nuk është kryer puna po jemi në një proces që duhet të jemi shumë të kujdesshëm si Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, njëra prej punës që duhet të bëjnë është që të mos dërgohen porosi të gabuara prej Kosovës, dhe njëkohësisht Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme rrit bashkëpunimin me ministrit gjegjëse të vendeve të BE-së, pasi opinionet e ministrive të brendshme janë të rëndësishme.
“Po ju them të gjithëve se nuk ju shkojnë prej Kosove as refugjatë, e as kriminelë…. Rritet vetëm komunikimi dhe shkëmbimi…”, tha Haradinaj. /Telegrafi/