Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka dekoruar trajnerin e xhudos, Driton Kuka me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Haradinaj në një postim në profilin e tij në Facebook ka thënë se brezi i artë i xhudistëve të Kosovës, të udhëhequr nga Kuka, janë vlerat më të çmuara të shtetit.
Kryeministri i Kosovës shtoi se financimi i palestrës për xhudo është përkrahje modeste krahasuar me arritjet e xhudistëve të prirë nga Majlinda Kelmendi.
Ai gjithashtu vendosi ta dekorojë trajnerin e xhudos, Driton Kuka me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
Më poshtë keni postimin pa ndërhyrje të kryeministrit Haradinaj:
“Klubi pejan i xhudos ”Ipon” e ka bërë krenare tërë Kosovën. Mjeshtri Driton Kuka, me brezin e artë të xhudistëve, që kanë arritur majat botërore, janë ndër vlerat më të çmuara të shtetit tonë të ri. Financimi i palestrës nga Qeveria është përkrahje modeste krahasuar me arritjet brilante të këtij ekipi të madh prirë nga e arta jonë, Majlinda Kelmendi, me të cilen pata një përballje miqësore. Për kontribut të jashtëzakonshëm dhënë sportit nacional, e dekorova Driton Kukën me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
/Telegrafi/