Site icon Telegrafi

Haradinaj: Deklaratat e Agim Bahtirit për luftë, janë të ekzagjeruara

Deklaratat e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri se nëse preket Mitrovica do të ketë luftë, i ka komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Shefi i qeverisë së Kosovës ka thënë se deklaratat e tilla, janë të ekzagjeruara.

Sipas tij, rrezik mund të ketë vetëm nëse tentohet të bëhet tregti me territore, transmeton Telegrafi.

“Bahtiri si kryetar i Mitrovicës jep shpesh deklarata të tilla, dhe nuk është mirë që askush të ekzagjerojë me deklarata të tilla. Unë nuk shoh tendenca të destabilizimit, të vetmin rrezik janë planet për tregti me territore dhe kufij dhe ajo është rrezik”, ka thënë kryeministri i vendit.

Lexo po ashtu Bahtiri: Nëse preket Mitrovica do të ketë luftë

I pari i Qeverisë duke komentuar mundësinë e shkëmbimit të territoreve, ka thënë se nuk do të bashkohet me askënd që e çon Kosovën drejt ndarjes.

Sipas Haradinajt, shija me të cilën do të përcaktohet marrëveshja finale, do ta përcjellë Kosovën përgjatë gjithë historisë.

Lexo po ashtu Haradinaj: Nuk duhet t'i pranojmë shantazhet e Serbisë, taksa mbetet deri në njohje

“Në koalicion jam me PDK-në, Nismën e AKR-në. Na ka lidhur kualiteti i zgjidhjes finale me Serbinë, mund të kemi ndonjë dallim në hapa apo etapa të caktuara, por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes. Unë kam vetëm një problem, çfarë shije do të ketë marrëveshja finale. Kushdo qoftë që e prishë shijen e marrëveshje finale, le të shkojë kah të dojë. Nuk do t’i bashkohem askujt që e çon Kosovën drejt ndarjes”, deklaroi Ramush Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri kritikoi përsëri qëndrimin e Maja Kocijançiq, e cila tha se Trepça është pjesë e dialogut. /Telegrafi/

Exit mobile version