Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj së bashku me zyrtarë të tjerë të AAK-së ka bërë homazhe te varri i liderit historik, Ibrahim Rugova dhe te shtatorja e koamandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti.
Haradinaj ka thënë se në nisje të obligimeve që kanë për vendin sot e kanë filluar me nderime të figurave të ndritura, raporton Ekonomia Online.
“Jemi te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe do të vazhdojmë me këtë nderim edhe te vendet tona të shenjta. Ne si popull i vjetër traditën e nderimit e kemi gjithë, dhe kjo sot ndërlidhet me veprën e Ibrahim Rugovës”, ka thënë ai.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është përulur edhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti në kryeqytet.
“Përulemi para dëshmorëve, para heronjve që kanë dhënë jetën për liri”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.
“Ata e meritojnë”.
Haradinaj gjatë ditës do të bëj homazhe edhe tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tek kompleksi i Jasharajve në Prekaz, në Mejë të Gjakovës dhe në fund do të nderojë dëshmorët e rënë në Gllogjan.
Këto homazhe ai po i bën vetëm dy ditë pas kthimit të tij nga Franca ku ka qëndruar i ndalur për rreth katër muaj.