Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar me disa fjalë, qytetarëve të Kosovës dhe kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje (VV), duke theksuar se kundërshtimet politike kundër marrëveshjeve të rrezikshme, kanë qenë sipas tij, dhe janë legjitime.
Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se “kundërshtimet ndaj institucioneve të gjyqësorit, dalin në terren tjetër, me presedanë të rrezikshëm për vendin”.
“Si kryetar i Qeverisë, sot, ju them se kam po ato qëndrime që kisha si kryetar partie, ku secili nga ne i jemi përgjigjur gjyqësorit. Ftoj VV që të ndajë kundërshtimin politik, me kundërshtimin ndaj gjyqësorit. Gjyqësori, edhe ashtu në vështirësi, dobësohet edhe më tepër kur deputetët e zgjedhur e kundërshtojnë atë”, ka shtuar Haradinaj.
Ai ka thënë se thirrjen drejtuar VV-së, e bën si kryetar i Qeverisë, si kryetar partie, por edhe si qytetar i Kosovës.
“Nuk do të jem në përkrahjen tuaj, kur jeni në kundërshtim të gjyqësorit, pasi edhe më parë u kam kërkuar edhe kolegëve të mi, por edhe vet e kam respektuar gjyqësorin”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/