Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar katërvjetorin e pranimit të Kosovës FIFA dhe në UEFA, në muajin maj. Haradinaj ka theksuar se të dy datat lidhen ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit.
Ai e ka përshkruar Vokrin si ikonë të futbollit kosovar dhe udhëheqës politik për ndërkombëtarizimin e Kosovës në futboll.
“Futbolli kosovar shënoi dy momentet më kulmore katër vjet më parë, me anëtarësimin në UEFA dhe pranimin në FIFA, në fillim të muajit maj. Të dy datat lidhen ngushtë me emrin e Fadil Vokrrit, ikonës së futbollit kosovar dhe udhëheqësit politik për ndërkombëtarizimin e Kosovës në futboll”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës dhe të gjithë futbollistët kosovarë.
“E gjithë përpjekja e tij u shndërrua në betejë të palëkundur, duke e bërë realitet ëndrrën tonë për anëtarësim në dy organizatat më të mëdha të futbollit në botë. Urime Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë futbollistëve kosovarë, 4-vjetori i anëtarësimit në FIFA. Fitoret e juaja, krenaria jonë!”, ka shkruar në fund kryetari Haradinaj.