Klubet evropiane tashmë kanë nisur t’i identifikojnë transferimet potenciale për afatin e ardhshëm kalimtar, atë të muajit janar të vitit 2020.
Tradicionalisht në këtë periudhë të sezonit nuk ndodhin transferime të mëdha, megjithatë ky afat dimëror pritet të jetë mjaft i ngarkuar për klubet që planifikojnë të blejnë dhe të shesin lojtarë.
Telegrafi jua sjell të gjithë informacionin e nevojshëm për afatin kalimtar që ndodh në mes të sezonit 2019/2020:
Kur hapet ‘afati i janarit 2020’
Klubet angleze do të mund të blejnë, shesin dhe të huazojnë lojtarë nga 1 janari 2020. Të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe klubet në Francë, Gjermani dhe Kinë, ndërsa klubet në Itali dhe Spanjë duhet të presin një ditë pas (2 janar).
Lojtarët që nënshkruajnë për klubet e Ligës Premier më 1 ose 2 janar nuk mund të luajë në javën e 21-të, por do të mund të luajnë në javët pasuese.
Afati kalimtar në Portugali hapet më 3 janar, ndërsa klubet ruse duhet të presin deri më 22 janar.
Kur mbyllet ‘afati i janarit 2020’
Në Angli, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, afati kalimtar pritet të mbyllet të premten, më 31 janar 2020.
Klubet portugeze kanë kohë një ditë më shumë të transferojnë lojtarë, ndërsa në Rusi afati zgjat deri më 21 shkurt 2020. Klubet kineze mund të transferojnë lojtarë deri më 27 shkurt 2020.
A mund të arrihen marrëveshje pas mbylljes së afatit
Klubet që i përmbyllin marrëveshjet vonë në ditën e fundit të afatit kalimtar (21:00 – 23:00) do të kenë kohë deri në mesnatë që t’i dërgojnë aplikacionet në sistemin transferues të FIFA-s për të marrë leje që të ndodhë transferimi.
Sa u përket huazimeve emergjente
Në fillim të sezonit 2016/2017, FIFA vendosi rregulla të reja që e hoqën afatin e huazimeve emergjente. Mirëpo, çfarë ndodh nëse një klub ka krizë portierësh? Lojtarët e lirë (që nuk kanë kontratë me ndonjë klub) mund të transferohen edhe jashtë afatit kalimtar, derisa ka një leje të shkruar në rast të ekzistimit të lëndimeve të portierëve te një klub i caktuar.
Si ta përcillni ‘afatin kalimtar të janarit 2020’
Duke e lexuar Telegrafin, ju do të siguroheni të mos humbni asgjë lidhur me transferimet potenciale dhe ato që do të zyrtarizohen deri në mbyllje të këtij afati kalimtar.
/Telegrafi/