Site icon Telegrafi

Hapja e urës së Ibrit, Shala: Komunikim, koordinim dhe konkretizim që të arrihet qëllimi i lëvizjes së lirë

Foto: Arkiv

Hapja e urës së Ibrit është ndër temat më të diskutuara në vend. Përkundër kundërshtimeve nga ndërkombëtarët për hapjen e kësaj ure, Qeveria e Kosovës mbetet e vendosur që ura duhet të hapet, dhe përgatitjet për hapjen e saj kanë nisur tash e disa ditë, ku tashmë ka përfunduar testimi për stabilitetin infrastrukturor të urës, dhe brenda këtyre ditëve pritet të publikohet edhe raporti.

Krahas deklaratave nga BE dhe SHBA, edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka pohuar se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut, transmeton Telegrafi.

“Ne nuk do të spekulojmë për ndonjë skenar hipotetik. Qëndrimi ynë për këtë çështje ka qenë i qartë, transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, kanë deklaruar nga KFOR-i, në një përgjigje për Telegrafin.

Një komentim të situatës mbi hapjen e urës së Ibrit e ka bërë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se përgatitjet për hapjen e urës janë legjitime.

“Situata e sigurisë në pjesën veriore është duke u bazuar kryesisht në vendimet dhe veprimet politike që do të ndërmerren dhe që ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në sigurinë e pjesës veriore me impakt edhe me të gjerë. Përgatitja për ri-vitalizim të urës është në parim legjitim dhe legal nga ana e institucioneve qofshin lokale apo qendrore. Por, që një problem kryesor po qëndron që qytetarët e Kosovës po manipulohen qëllimisht në forma të ndryshme politike qofshin ata nga komuniteti serb, por edhe shqiptarët”, ka potencuar ai për Telegrafin.

Shala thotë se ekziston marrëveshja për urën e Ibrit, duke shtuar se marrëveshja duhet zbatuar.

“Sepse në bazë të dokumentacioneve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ka pasur dakorsi që të hapet ura dhe të zbatohen gjitha marrëveshjet, por që implementimi i tyre nuk është garantuar nga ana e mekanizmit ndërkombëtar dhe që në dialog dhe pala serbe por edhe ajo kosovare kanë mbetur në pozitën në vend qëndro, duke mos marrë hapa në implementimin e përgjithshme të të gjitha marrëveshjeve dhe që faktori ndërkombëtar po qëndron mbrapa atyre zotimeve që janë bërë dhe dhënë mbrapa dyerve të mbyllura”, është shprehur ai.

Mes tjerash, Shala shton se “Prishtina zyrtare do të duhej që të ri-përcaktohet në procesin e hapjes se urës duke ndjekur modelin e informimit korrekt ndërkombëtar përmes arsyeshmërisë së argumentit, bazuar në normative por edhe avancimit të koordinimit me strukturat ndërkombëtare të sigurisë ( KFOR ). Pra, që mbi urën e Ibrit të qëndrojnë zyrtarët policorë në formën preventive por duke mos penguar lëvizjen e veturave, sepse vetëm kjo është mungesë mbi urën e Ibrit, sepse qytetarët kalojnë pa as një pengesë të vogël”.

Drizan Shala

Eksperti i sigurisë është i mendimit se ura e Ibrit duhet të hapet, por që kjo hapje të mos ndikon në avancimin e mëtejmë të Kosovës në fusha të ndryshme.

“Nën orbitën e sigurisë nga pikëpamja politike/ ushtarak që KFOR ka marr kompetenca shtesë nga ana e UNMIK-ut si rezultat të ndryshimit të kontrurave politike, atëherë ura e Ibrit është bartur kompetentes ushtarake për vendimmarrje për lejim apo jo. Me fjalë të shkurta, ura e Ibrit do të duhej të hapet, por rruga e hapjes dhe tejkalimit të pengesave politike e ushtarake mos të jenë pengesë kryesore ndaj rrugës së Kosovës dhe avancimit të saj në shumë fusha qofshin ato politike, ushtarake dhe të sigurisë me partneritet ndërkombëtar”, sqaroi ai.

Hapja e urës së Ibrit sipas Shalës po i shërben edhe klasës politike në Kosovës për shkak të proceseve parazgjedhore.

“Ne e kuptojmë që ri-aktualizimi i urës në nivel politik i kontribuon dhe shërben klasës politike në Kosovë për ri-startim të pozicionit të saj në fushën ndërkombëtare, por edhe proceseve parazgjedhore të brendshme por gjithashtu në këtë krizë politike në Serbi çdo tension mbi urën e Ibrit që do të prodhonte Serbia me qëllim, do t’i shërbente asaj për tërheqjen e vëmendjes nga protestat brenda dhe kundër spektrit të gjerë politike në Beogradin zyrtar”, nënvizoi ai.

Si përfundim, Shala tha se “Komunikim-Koordinim-Konkretizim janë 3K që mund të arrihet qëllimi i lëvizjes së lirë të cilën do e garantonte mekanizmi ndërkombëtar”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

BE-ja ka kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version