Sot është hapur zyrtarisht Qendra e resurseve për studentët, një iniciativë e rëndësishme për mbështetjen e studentëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Në të njëjtën kohë, është lansuar faza e dytë e programit “Mbështetje Plotësuese për Studime Akademike”, i cili synon të ofrojë mundësi të reja për avancimin e arsimit dhe zhvillimin personal dhe profesional të këtyre studentëve.
Drejtori i “Voice of Roma and Egyptians in Kosovo” (VORAE), Isak Skenderi, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj qendre për përmirësimin e mundësive për arsimin dhe zhvillimin e studentëve të këtyre komuniteteve.
Ai vuri në dukje se hapja e këtij projekti është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të fuqizuar arsimin si një mjet të fuqishëm transformues për komunitetet më të margjinalizuara.
“Është një ndër dhe krenari të veçantë të jemi mbledhur sot për të hapur zyrtarisht Qendrën e resurseve për studentit një iniciativë e iniciuar nga VORAE, si pjesë e përkushtimit tonë ndaj arritjeve akademike të studenteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në kuadër të Projektit për Drejtësi Sociale.
Kjo qendër është dëshmi e bindjes sonë e përbashkët në fuqinë transformuese të arsimit.
Arsimi është shumë më tepër sesa thjesht përvetësimi i dijes. Është një port drejt mundësive, fuqizimit dhe pavarësisë për komunitetet tona, arsimi përfaqëson një mundësi për të kapërcyer barrierat, për të sfiduar stereotipat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme dhe më të drejtë.
Qendra e resurseve për studentët është projektuar të jetë një vend frymëzimi, bashkëpunimi dhe zhvillimi. Këtu, studentët do të gjejnë mjetet, burimet dhe mbështetjen e nevojshme për të kapërcyer sfidat akademike, për të zbuluar potencialin e tyre dhe për të realizuar ëndrrat e tyre qoftë përmes tutorimit, mentorimit, këshillimit në karrierë apo thjesht një hapësirë të qetë për të punuar”, ka thënë Skenderi.
Ai në fjalën e tij tha se arsimi nuk përfundon me marrjen e një diplome.
“Është një proces i vazhdueshëm dhe qëllimi i tij përfundimtar është të na përgatisë për punësim të mirëfilltë dhe pjesëmarrje aktive me shoqërinë”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila mori pjesë në këtë ngjarje, theksoi se hapja e kësaj qendre është një hap përpara për të krijuar mundësi më të mira për studentët nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Ajo theksoi se kjo nismë është pjesë e përkushtimit të qeverisë për të krijuar një shoqëri të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.
“Një shoqëri që kujdeset për të gjithë qytetarët, një qeveri që ofron mbështetjen e merituar për secilin e secilin, një shtet që krijon kushtet që të gjithë të realizojnë potencialin e tyre të plotë. Këto janë parime që i kemi synuar si qeveri dhe që po i shohim të jetësuara çdo ditë e më tepër”, ka thënë Nagavci.
Mes tjerash ajo tha se mbështetja që ofron Ministria e Arsimit për studentët e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian të Kosovës ka për qëllim jo vetëm të mbështesë secilin nga studentët përfitues, po mbi të gjitha të frymëzojë dhe të inkurajojë të rinjtë e të reja të komuniteteve për të avancuar jo vetëm veten e tyre dhe familjen, por gjithë shoqërinë.
“Kjo mbështetje është konkretizuar në shumë forma, masa dhe vendime gjatë mandatit tonë qeverisës.
Kemi filluar skemën e re të bursave nga viti akademik 2022-2023 duke ofruar bursa për studentët nga radhët e komuniteteve jo shumicë; duke planifikuar ndarjen e bursave për 100 studentë.
Në vitin e parë kishim 26 studentë përfitues dhe ky numër po rritet nga viti në vit. Andaj unë shfrytëzoj edhe këtë mundësi që të gjithë juve studentëve që jeni të pranishëm e që jeni përfitues të bursave, t’ju bëj thirrje që të ndani këtë informatë sa më shumë e të ndihmoni vëllezërit, motrat, shokët e juaj”, tha ndër të tjera Nagavci. /Telegrafi/