Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka shpallur konkurs të hapur për çmimin “Gazetari me shkrimin/emisionin më të mirë për diasporën”.
“Duke u mbështetur në Rregulloren për Ndarjen e Çmimeve Vjetore, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ndan çmimin vjetor për shkrimin/emisionin më të mirë për diasporën, çmim ky tashmë tradicional. Ky çmim ka për qëllim promovimin e iniciativave, aktiviteteve dhe vlerave të diasporës në mediet kombëtare dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell Telegrafi.
Më tej njoftimi bënë të ditur se shkrimet, përkatësisht emisionet duhet të kenë për temë çështje që lidhen me diasporën në fusha të ndryshme si arsim, kulturë, ekonomi, sociale.
“Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike i fton gazetarët e të gjitha trevave shqiptare që të bëhen pjesë e këtij konkursi. Konkursin mund ta gjeni në ueb-faqen e ministrisë. Konkursi do të jetë i hapur nga dita e publikimit deri më 30 qershor 2018”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/