Në shkurt të këtij viti ligjvënësit spanjollë votuan ligjin që u jep leje mjekësore me pagesë vajzave dhe grave që vuajnë nga dhimbje të forta të menstruacioneve, duke u bërë vendi i parë evropian që avancon një legjislacion të tillë.
Gjatë kësaj jave një nismë e tillë u fillua edhe në Shqipëri.
Deputeti Erion Braçe kërkoni që “vajzave dhe grave në Shqipëri t’u njihet e drejta për të marrë raport gjatë ciklit menstrual, raport që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit“.
Ai propozoi gjithashtu që paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
Mirëpo për nismë të tillë gjinekologët e shohin shumë të domosdoshme edhe në Kosovë.
Gjinekologu Berat Krasniqi, thotë se si mjek shpesh detyrohet të rekomandoj pushim mjekësor, për gratë dhe vajzat që janë në ciklin menstrual.
“Një pjesë e madhe e femrave gjatë ciklit menstrual përjetojnë dhimbje të theksuara sidomos në organet gjenitale. Ne shpeshherë detyrohemi t’iu shkruajmë pushim mjekësorë. Këto dhimbje manifestohen për shkak të kontraksioneve që jep mitra”, ka deklaruar gjinekologu në RTV Dukagjini.
Ai thotë se një pushim për gratë dhe vajzat që janë në cikël menstrual do të ishte shumë i nevojshëm që të rregullohet me ligj që mjekët të mos kenë nevojë të shënojnë vazhdimisht pushime të tilla.
“Një iniciativë për një çështje të tillë është mjaft e qëlluar dhe kjo çështje duhet të rregullohet edhe ligjërisht. Studimet tregojnë se deri në 20% e femrave që janë në cikël menstrual kanë më pak produktivitet në punë dhe kjo humbje e produktivitetet shtohet edhe më shumë kur janë nën presionin e menaxhmentit për të realizuar një punë të caktuar, kur në realitet ato nuk mund të realizojnë atë punë për shkak të gjendjes së tyre”.
Gjinekologu thotë se një cikël menstrual zakonisht zgjat nga 3-7 ditë dhe pushimi do të ishte I rregulluar në këto periudha mujore./Telegrafi/